Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Komuna e Kamenicës përmes Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut pranë DAP-së, organizoi një aktivitet për fëmijët e komunitetit rom.
Aktiviteti u realizua nga Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli-Kastrati, në bashkëpunim me Zyrtaren për Barazi Gjinore, Kosovare Maroca Berisha dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Ngjarja u zhvillua në një atmosferë festive, ku fëmijët morën pjesë në bashkëbisedime me përmbajtje edukative, morën mesazhe inkurajuese për përfshirje e barazi, dhe në fund u shpërblyen me dhurata simbolike.
Në aktivitet mori pjesë edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Afrim Dervishi, i cili theksoi se përfshirja e komuniteteve në sistemin arsimor është një ndër prioritetet kryesore të institucionit që ai drejton. Ai garantoi përkrahje të vazhdueshme për fëmijët e komunitetit rom dhe për përmirësimin e qasjes së tyre në arsim cilësor.
Zyrtarja komunale për Barazi Gjinore, Kosovare Maroca Berisha, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të komuniteteve në të gjitha iniciativat lokale dhe u zotua për bashkëpunim të ngushtë me to në të ardhmen.
Përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jeton Lika dhe Vjosa Emini, vlerësuan lart përkushtimin e Komunës së Kamenicës, veçanërisht të NJKDNJ-së, në promovimin e të drejtave të njeriut dhe trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar ndjehet i barabartë, i respektuar dhe i përfshirë në jetën publike.