Komuna e Kamenicës, në bashkëpunim me D&D Business Support Center dhe GIZ-in gjerman, ka mbajtur një sesion informues për projektin “Skema e Granteve për Investime – LOT 1 dhe LOT 2”.
Qëllimi i këtij projekti është të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në zonat rurale të Kosovës, me fokus të veçantë tek rajonet malore dhe kufitare, duke kontribuar në krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave dhe promovimin e barazisë gjinore.
Gjatë sesionit u prezantuan mënyrat e aplikimit, kriteret e përzgjedhjes si dhe përfitimet që kjo skemë ofron për individë dhe biznese të sektorit bujqësor.
Drejtori i Bujqësisë, Shpend Morina falenderoi të pranishmit për pjesëmarrje.
“Faleminderit që iu keni përgjigjur ftesës për këtë sesion informues në numër kaq të madh. Kjo thirrje është në bashkëpunim me MBPZHR dhe GIZ-in. Ndarja e granteve është bërë në dy LOT-e: i pari me financim prej 1,500 deri në 5,000 euro, kurse i dyti prej 5,000 deri në 50,000 euro. Iu uroj suksese të gjithëve”, ka thënë ai.
Ky sesion është një mundësi e rëndësishme për fermerët dhe ndërmarrësit lokalë që të zhvillojnë dhe rrisin kapacitetet e tyre, duke përfituar nga skemat mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural.