Kryetari Kadri Rahimaj, ka zhvilluar sot një takim pune me drejtorët komunal dhe udhëheqësit sektorial, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet stafit politik dhe atij administrativ. Në fokus të takimit ishin interesat dhe nevojat e qytetarëve, si dhe përmirësimi i koordinimit të brendshëm institucional.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari Rahimaj theksoi se këto takime do të mbahen rregullisht, duke i konsideruar ato thelbësore për funksionimin efikas të komunës.
“Është shumë me rëndësi bashkëpunimi me administratën, sepse është në dobi tonën dhe tuajën, por mbi të gjitha në dobi të qytetarit. Ne nuk duam të krijojmë ndarje mes të emëruarve politikë dhe administratës, por është e rëndësishme që të dy palët t’i dinë përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të trajtojmë sa më mirë çdo interes të qytetarit. Stafi politik do të jetë partneri më i mirë i administratës, por duam që edhe stafi administrativ të jetë partneri ynë më i mirë, duke pasur si qëllim interesin dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Në takim u diskutuan gjithashtu planifikimet për vitin 2026, prioritetet zhvillimore, sfidat me të cilat përballen sektorët e ndryshëm, si dhe nevojat që kërkojnë adresim.
Takime të tilla pritet të rrisin efikasitetin dhe të garantojnë shërbime më cilësore për komunitetin.