Mbrëmë qyteti i Kamenicës u shndërrua në një skenë ndërkombëtare ku kultura, muzika dhe tradita nga të gjitha anët e botës u bashkuan për të festuar diversitetin dhe bukurinë e artit.
Grupet artistike nga Brazili, Meksika, Spanja, Italia, Qiproja Veriore, Bullgaria dhe Turqia sollën para publikut kamenicas valle autentike, veshje tradicionale dhe ritme që ndezën atmosferën në një spektakël shumëngjyrësh ku publiku pati mundësinë të njihet nga afër me traditat e vendeve të ndryshme.
Drejtori i Kulturës në Komunën e Kamenicës, Behar Hyseni, u ka uruar mirëseardhje të gjitha grupeve pjesëmarrëse.
“Kamenica është dhe do të mbetet vend i kulturës, mikpritjes dhe bashkëpunimit. Jemi të nderuar që këto kultura po e ndajnë me ne artin e tyre,” tha ai.
Ky aktivitet është pjesë e Kamenica Summer Fest.