Edhe pas ditës së tretë të përballjes me vatrat e zjarrit, situata në komunën e Kamenicës vazhdon të jetë tejet shqetësuese.
Kryetari i komunës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se ekipet e zjarrfikësve po punojnë pandërprerë, edhe gjatë orëve të vona të natës, për të lokalizuar dhe shuar flakët që po përfshijnë sipërfaqe gjithnjë e më të mëdha. Ai theksoi se shumë prej zonave të prekura janë tepër të vështira për t’u arritur me mjetet e punës.
“Pavarësisht lodhjes dhe faktit që nuk kanë pasur asnjë ditë pushimi, zjarrfikësit po japin maksimumin për të mbrojtur jetën, pronën dhe mjedisin. Qendra e Zjarrfikësve është në koordinim të plotë me Agjencinë për Menaxhim Emergjent, si dhe me ekipet profesionale të KFOR-it, për të garantuar ndërhyrje sa më efikase në çdo vatër,” tha Kryetari Rahimaj.
Kryetari u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal në natyrë dhe t’u shmangen veprimeve që mund të shkaktojnë zjarr. Ai po ashtu u kujtoi pronarëve të pronave private se ndezja e zjarreve është e ndaluar dhe paraqet rrezik serioz për jetën dhe mjedisin.