Nën patronatin e Kryetarit Kadri Rahimaj dhe në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport, është mbajtur akademi përkujtimore në kuadër të manifesimit ‘Lulëkuqet e Prillit’.
Të pranishëm në këtë akademi ishin Kryetari Kadri Rahimaj, Drejtori i Kulturës Behar Hyseni, zv. Ministri Shemsi Syla, Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, Kryetari i OVL-UÇK-së në Kamenicë, Milaim Limoni, familjarë të dëshmorëve, drejtorë e zyrtarë të tjerë komunal, qytetarë dhe të tjerë.
Kryetari Rahimaj në fjalën e tij tha se Beteja e Marecit ishte njëra nga betejat më të lavdishme të historisë sonë të re.
“Mareci ishte zemra e rezistencës, ishte një fortesë që nuk u përkul, edhe pse e rrethuar, edhe pse në armatimin e saj të fundit. Ishte një betejë ku ranë shumë dëshmorë, por ku edhe u shkrua historia e e ardhmja që e priste vendin. Ne sot kujtojmë me respekt dhe përulësi të gjithë dëshmorët që ranë, bijtë më të mirë të kësaj toke, që lanë gjithçka pas për ta mbrojtur nderin e kombit. Kujtojmë gjithashtu plagët e të mbijetuarve, sakrificat e familjeve, që as sot e kësaj dite nuk janë shëruar plotësisht. Por mbi të gjitha, sot jemi këtu për të premtuar se kjo sakrificë nuk ka shkuar kot. Se liria për të cilën ata ranë është themeli mbi të cilin ne do të ndërtojmë një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar, më të bashkuar”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Në këtë akademi Orkestra Frymore e Kamenicës pati paraqitjen e saj. Ndërsa me një monolog rrënqethës Çun Lajçi bëri që publiku të duartrokas fort.
Akademia është përmbyllur me shfaqjen e premierës së dokumentarit ‘Lulëkuqet e Prillit’, realizuar nga Komuna e Kamenicës. Ky dokumentar ka sjellur kujtimet e protagonistëve të cilët ishin pjesë e luftës për liri.