Panairi i prodhimeve vendore mbrëmë mblidhi në sheshin e qytetit biznese lokaje të cilët patën mundësinë të prezantojnë produktet e tyre. Në këtë aktivitet qytetarët kishin mundësi që të informoheshin për produktet e bëra në Kamenicë dhe regjion.
Në këtë panair i cili u organizua në kuadër të Kamenica Summer Fest bizneset që morën pjesë kanë ekspozuar produkte të ndryshme, nga ushqimet tradicionale deri tek artizanatet dhe produkte të tjera që pasqyrojnë kreativitetin dhe pasurinë e Kamenicës.
Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Burbuqe Leka, theksoi rëndësinë e këtij panairi për zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e bizneseve lokale.
“Ky panair është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar produktet që krijohen nga pasioni dhe puna e palodhur e bizneseve tona. Ne si komunë po bëjmë të pamundurën për të mbështetur zhvillimin e bizneseve lokale, dhe ky aktivitet është një shembull i shkëlqyer se si mund të bashkëpunojmë dhe të rrisim kapacitetet tona. Panairet e tilla janë mundësi për të afruar konsumatorët me produktet që janë të prodhuara pranë tyre” u shpreh Drejtoresha.
Ky panair ka ofruar një mundësi të shkëlqyer për vizitorët që të njohin më mirë produktet lokale dhe të kontribuojnë në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së qytetit.