Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka emëruar ish-deputeten Arta Bajralija në postin e Nënkryetares së Komunës.
Me këtë rast kryetari Rahimaj ka theksuar se përvoja e saj e pasur politike dhe qytetare, profesionalizmi, energjia dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë që ajo ka dëshmuar ndër vite, do të jenë një vlerë e shtuar për qeverisjen lokale dhe për realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve të Kamenicës.
“Arta Bajralija do të jetë Nënkryetarja e Komunës sonë. Arta vjen në këtë përgjegjësi me një përvojë të pasur politike dhe qytetare. Angazhimi i saj i hershëm si aktiviste e përkushtuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si dhe përvoja e fituar si deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, janë dëshmi e qartë e përkushtimit të saj ndaj interesit publik dhe qeverisjes së ndershme”, ka deklaruar Rahimaj.
Ai ka shtuar se së bashku do të vazhdojnë punën e nisur me fokus në projekte konkrete dhe përmirësim të shërbimeve për qytetarët, duke theksuar se mandati i dytë është një mundësi për ta çuar komunën përpara me më shumë energji, bashkëpunim dhe përkushtim.
Në fund Kryetari Rahimaj i ka uruar Artës punë të mbarë dhe suksese në ushtrimin e kësaj detyre të rëndësishme në shërbim të Komunës së Kamenicës.