Drejtori i Urbanizmit, Uran Berisha, së bashku me Drejtorin e Zhvillimit Ekonomik, Edon Dërmaku, dhe zyrtaren e kësaj drejtorie, Qëndresa Kastrati, kanë pritur në takim përfaqësuesit e Grupit të Bankës Botërore, Kerstin Schopohl dhe Alban Imeri.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i rolit të Komunës në procedurat dhe ndarjen e tokës për projektet e gjenerimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, përkatësisht nga dielli dhe era. Në fokus të diskutimit ishin gjithashtu dhënia e lejeve komunale, ndarja e tokës në nivel komunal për këto projekte, si dhe planet e zhvillimit komunal.
Drejtori i Urbanizmit, Uran Berisha, i njoftoi të pranishmit lidhur me Planin Zhvillimor të Komunës, duke u fokusuar në kapacitetet ekzistuese për vënien në dispozicion të pronave për projekte energjetike. Ai përmendi se Komuna e Kamenicës ka potencial për shfrytëzimin e burimeve alternative të energjisë, konkretisht asaj të erës dhe diellit.
Ndërkaq Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Edon Dërmaku, theksoi rëndësinë e projekteve për gjenerimin e energjisë elektrike, duke përmendur edhe projektin solar ku njoftoi për kërkesat e disa investitorëve potencial të cilët kanë dorëzuar projektet kryesisht me solare për zhvillim, projekte këto që duhet të zbatohen në bazë të Planit Zhvillimor Komunal.
Nga ana tjetër përfaqësuesja e këtij grupi ekonomistja Kerstin Schopohl, theksoi rëndësinë e vënies në dispozicion të parcelave për investitorët privatë me qëllim zhvillimin e projekteve energjetike. Sipas saj, do të ishte me rëndësi të veçantë që të krijohen mundësi për dhënien e pronave edhe në rastet kur ato nuk janë të përfshira në Planin Zhvillimor, në mënyrë që komuna dhe qytetarët të përfitojnë nga projektet e ofruara për gjenerimin e energjisë.
Në përmbyllje të takimit, palët u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe diskutimet lidhur me hapat e mëtejmë, me qëllim shfrytëzimin e projekteve energjetike në të mirë të qytetarëve.