Nënkryetarja e Komunës së Kamenicës, Arta Bajralija, ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) dhe organizatën Re-ACT Lab, me qëllim avancimin e praktikave të prokurimit publik strategjik në nivel lokal.
Nënkryetarja Bajralija theksoi se ky bashkëpunim synon të demonstrojë se si prokurimi publik dhe rregullativa përkatëse në Kosovë mund të shfrytëzohen për integrimin e kritereve të bazuara në cilësi, përfshirë standardet mjedisore, klauzolat sociale dhe elementet e inovacionit. Në të njëjtën kohë, procesi do të garantojë konkurrencë të drejtë dhe përshtatshmëri me tregun lokal.
Përmes këtij memorandumi, palët janë zotuar të bashkëpunojnë ngushtë në strukturimin dhe zbatimin me sukses të një projekti pilot për prokurim publik strategjik, duke përfshirë kriteret e avancuara të cilësisë në procedurat përkatëse.
Nënkryetarja Bajralija theksoi se është një hap i rëndësishëm që Komuna e Kamenicës do të jetë pjesë e këtij procesi dhe se do ta udhëheqë këtë iniciativë në të mirë të qytetarëve.