Kryetari i Komunës së Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Nënkryetaren Arta Bajraliu dhe Drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besart Kryeziu, kanë shpërndarë pakot BABY BOX për 90 përfitues duke shënuar grupin më të madh të përfituesve deri më tani.
Me këtë rast Kryetari Rahimaj ka uruar prinderit për fëmijët e sapolindur, duke thënë se mbështetja institucionale për familjet dhe mirëqenien e foshnjave mbetet prioritet i vazhdueshëm i komunës.
“Është kënaqësi që për çdo foshnje që sillni në jetë t’i japim urimet e para në këtë formë.
I gëzohemi çdo jete, ashtu siç i gëzohemi edhe prindërve, prandaj komuna ka qëndruar pranë jush në momentet e gëzimit me diçka modeste dhe të nevojshme. Kjo pako është menduar jashtëzakonisht mirë që të jetë sa më e shfrytëzueshme për familjet. Ajo që e dallon këtë pako nga pakot e kaluara është kamera baby monitor, e cila mundëson përcjelljen e foshnjave”, është shprehur Kryetari Rahimaj.
Ndër të tjera Kryetari Rahimaj ka përmendur edhe subvencionimin financiar për fëmijët.
“Ne kemi edhe një formë tjetër të ndihmesës për prind, ku me rastin e lindjes komuna i financon prindërit si 200 euro për fëmijën e parë, 250 euro për fëmijën e dytë dhe 300 euro për fëmijën e tretë. Poashtu jemi komuna e vetme në Kosovë që në çerdhen publike ofrojmë ushqim të shëndetshëm, pa produkte të konservuara, dhe, jemi komuna e vetme me sigurim shëndetësor për fëmijët në çerdhen publike, sigurim ky i vlefshëm në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Uroj të mos keni nevojë ta përdorni, por ne kemi marrë masat e duhura për çdo situatë”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Këto pako janë shpërndarë për 90 përfitues ndërsa ende ka përfitues që janë në listë të pritjes dhe në momentin që komuna furnizohet me pako të reja, do të njoftohen edhe këta përfitues.