Drejtoria e Arsimit, e mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Shëndetësisë, po realizon programin “Drejt Malit”, në kuadër të të cilit fëmijët e katër shkollave fituese në garën e futsallit po përfitojnë nga aktivitetet dimërore në zonën turistike të Brezovicës.
Gjatë qëndrimit të tyre, nxënësit po shfrytëzojnë pistën e skijimit, ku njëkohësisht po mësojnë edhe teknikat bazë të këtij sporti. Përveç aktiviteteve në natyrë, në mbrëmje po zhvillohen edhe aktivitete jashtëkurrikulare, duke përfshirë gara ndërmjet shkollave në shah dhe pingpong, ku nxënësit kanë treguar shpirt të lartë garues dhe bashkëpunim.
Në kuadër të këtyre garave, nxënësit më të suksesshëm në pingpong kanë zënë vendin e parë, ndërsa në shah vendin e dytë. Fituesit janë shpërblyer me mirënjohje, medalje dhe dhurata simbolike.
Ky program realizohet nga Federata e Sportit Shkollor e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Federatën Skitare të Kosovës, me synim promovimin e Parkut Kombëtar Sharr dhe zonës turistike të Brezovicës.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë nxënës nga shkollat: “Xhavit Ahmeti” – Hodonoc, “Metush Krasniqi” – Rogoçic, “Asllan Thaqi” – Karaçevë e Poshtme dhe “Avni Rrustemi” – Karaçevë e Epërme, të shoqëruar nga arsimtarët Afrim Morina, Florim Kryeziu, Lulzim Dermaku dhe Enver Sermagjaj.