Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj së bashku me Komandantin e Policisë në Kamenicë Basri Shkodra dhe Rreshterin Shukri Shillova kanë pritur në takim ekspertët e kompanisë “Avada Connect” Mick Stewart dhe Mat Burdett si dhe pjesëtarin e sektorit të IT-së në Drejtorinë Rajonale në Gjilan të Policisë së Kosovës Arsim Ramadani.
Ata kanë diskutuar rreth kamerave që janë të vendosura në Komunën e Kamenicës, në pjesë të ndryshme të territorit të saj, si dhe funksionimin e tyre.
Kompania në fjalë po punon me disa komuna në Kosovë për të rritur sigurinë dhe shtuar kujdesin e qytetarëve nëpërmjet kamerave me sistem softuerik të veçantë që i shërbejnë dhe lehtësojnë punën Policisë së Kosovës.
Kryetari Rahimaj ka falenderuar përfaqësuesit e kompanisë për punën që kanë bërë për këtë sistem si dhe është shprehur i gatshëm që ky projekt të vazhdojë për Kamenicën.
Përgjatë takimit të dy ekspertët kanë prezantuar detaje rreth mënyrës së funksionimit të këtyre kamerave si dhe sistemit të veçantë softuerik që menaxhon ato.
Pjesëtarët e Policisë kanë falenderuar kompaninë duke thënë se ky sistem, tashmë funksional për shumë vende të tjera, ju ka ndihmuar në punën e tyre të përditshme, duke u shprehur poashtu se janë të gatshëm që si Stacion të japin ndihmën e tyre në vazhdimin dhe specifikimin më tutje të projektit.