Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Selami Klaiqi, së bashku me zyrtaren e kësaj drejtorie, Bejaze Morina, kanë pritur në një takim pune profesorin Bardhyl Musai si dhe Blerim Muhaxhirin, Drejtor Ekzekutiv në Librarinë Dukagjini.
Gjatë takimit është diskutuar për programet kyçe që pritet të përfshihen në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe Dukagjini Akademi.
Me këtë rast, drejtori Klaiqi ka paraqitur disa nga prioritetet kryesore të komunës në fushën e arsimit, të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë në shkolla.
“Ne, së bashku me Kryetarin, jemi të fokusuar në identifikimin e specifikave kryesore që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë në arsim në komunën tonë. Në këtë drejtim, programet që synojmë të zhvillojmë përfshijnë: hartimin dhe rishikimin e Planit Zhvillimor të Arsimit, programet për zhvillimin dhe trajnimin e mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, digjitalizimin e shkollave, si dhe mbështetjen për mësimin tërëditor në harmonizim me bibliotekën lëvizëse”, ka thënë Klaiqi.
Ndërkaq, profesori Bardhyl Musai theksoi rëndësinë e këtyre programeve për avancimin e cilësisë në arsim, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe përshtatje të programeve sipas nevojave të komunës.
“Ne tashmë kemi zhvilluar disa programe që përfshijnë këto fusha, por jemi të gatshëm të krijojmë edhe programe të reja, të ndërtuara sipas specifikave dhe kërkesave tuaja. Synimi ynë është të kontribuojmë në zhvillimin e arsimit në përputhje me nevojat konkrete të shkollave”, është shprehur Musai.
Edhe drejtori ekzekutiv i Librarisë Dukagjini, Blerim Muhaxhiri, ka vlerësuar rëndësinë e një marrëveshjeje të fokusuar në nevojat reale të komunës.
“Jemi të hapur për diskutime dhe për krijimin e programeve që i përgjigjen drejtpërdrejt kërkesave tuaja. Në këtë mënyrë, bashkëpunimi ynë do të jetë më efektiv dhe me rezultate konkrete”, ka theksuar Muhaxhiri.
Takimi u përmbyll me dakordim për të vazhduar komunikimin dhe për të konkretizuar bashkëpunimin përmes programeve që synojnë rritjen e cilësisë në arsimin në Komunën e Kamenicës.