Auditori i Brendshëm i Komunës së Kamenicës, Luan Baxhuku, është përzgjedhur nga Njësia Qendrore Harmonizuese e Auditimit të Brendshëm pranë Ministrisë së Financave dhe Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP), për të qenë ligjërues në Programin Kombëtar për Certifikimin e Auditorëve të Brendshëm në sektorin publik në Republikën e Kosovës.
Në kuadër të këtij programi, Auditori Baxhuku, për 14 ditë radhazi, ka ligjëruar modulin e tretë të trajnimit me temë “Metodologjia dhe Shkathtësitë e Auditimit të Brendshëm”.
Pjesë e këtyre dy grupeve të trajnimit ishin 44 pjesëmarrës të rinj, të cilët, pas kalimit të provimit parakualifikues për auditorë, ndoqën ligjëratat e këtij moduli, ku në përfundim të tij do t’i nënshtrohen provimit teorik e më pas edhe atij praktik.
Trajnimi u karakterizua nga një qasje e kombinuar teorike dhe praktike, duke përfshirë edhe punë në grupe, diskutime interaktive dhe shkëmbim përvojash mes pjesëmarrësve.
Auditori Baxhuku, njëherësh ligjërues në këtë trajnim, theksoi se ishte nder i veçantë të trajnojë këta profesionistë të rinj, duke ndarë me ta edhe përvojën e tij 14-vjeçare si Auditor i Brendshëm në Komunën e Kamenicës.
“Gjatë këtyre 14 ditëve pata kënaqësinë të jem i angazhuar në cilësinë e trajnerit, së bashku me kolegun z. Naim N. Behluli, në kuadër të Programit Kombëtar për Certifikimin e Auditorëve të Brendshëm në Kosovë. Për mua ishte një përvojë shumë e vlefshme profesionale, ku patëm mundësinë të ndajmë njohuritë dhe përvojën tonë me profesionistë të rinj në fushën e auditimit të brendshëm. Diskutimet interaktive, shkëmbimi i përvojave dhe angazhimi i pjesëmarrësve e bënë këtë trajnim edhe më domethënës. Kontributi në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e sistemit të kontrollit të brendshëm mbetet gjithmonë një përgjegjësi dhe privilegj”, është shprehur ai, duke u uruar suksese të gjithë pjesëmarrësve në rrugëtimin e tyre profesional pas përfundimit të trajnimit.
Komuna e Kamenicës vlerëson lart përfaqësimin e saj në programe të tilla të nivelit kombëtar, ku profesionistë si Auditori Luan Baxhuku kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale në sektorin publik.
Përzgjedhja e tij si ligjërues në këtë program dëshmon për nivelin e profesionalizmit dhe përkushtimit që posedojnë kuadrot e Komunës së Kamenicës, duke përbërë njëkohësisht nder dhe vlerë për institucionin.