Komuna e Kamenicës ka mbajtur dy konsultime publike lidhur me dokumente të rëndësishme që kanë të bëjnë me tarifat komunale dhe menaxhimin e mbeturinave.
Fillimisht, Grupi Punues për caktimin e tarifave dhe mënyrës së inkasimit të mjeteve financiare për menaxhimin e mbeturinave – kategoritë gjeneruese dhe tarifat, mbajti konsultim publik me qytetarë dhe palë të interesuara.
Kryesuesi i grupit punues, Hysen Jerliu, prezantoi propozimet për tarifat, duke theksuar se shqyrtimi i tyre është obligim ligjor që duhet të realizohet brenda vitit.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit ngritën një sërë çështjesh dhe pyetjesh, ndër të cilat: mundësia e lirimit nga pagesa për kategoritë e dala nga lufta, dallimi ndërmjet ekonomive familjare me banim të përhershëm dhe atyre jo të përhershme, kategorizimi i veprimtarive të vogla zejtare dhe shërbyese, mënyra e faturimit të institucioneve arsimore gjatë muajve të pushimit, si dhe tarifat e parapara për institucionet komunale.
Po ashtu, u mbajt edhe konsultimi publik për Draft-Rregulloren për caktimin e taksave, tarifave, ngarkesave dhe gjobave komunale.
Me këtë rast, kryesuesi i grupit punues, Hysen Jerliu, bëri të ditur se draft-rregullorja është plotësuar dhe ndryshuar, duke shtuar se një numër i konsiderueshëm i veprimtarive janë të liruara nga taksat, tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale.
Pjesëmarrësit paraqitën komente dhe pyetje të ndryshme, duke përfshirë kërkesën që kategoritë e dala nga lufta të përfshihen si kategori të liruara nga pagesat në institucione të caktuara, përfshirë institucionet parashkollore dhe shërbimet kadastrale. Gjithashtu, u diskutua mundësia e lirimit të këtyre kategorive edhe për bizneset, çështja e tarifimit të mbajtësve të kurseve për nxënës, mbështetja për institucionet shkollore që aplikojnë tarifa, si dhe përdorimi i hapësirave sportive nga klubet jashtë Kamenicës. Pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e kategorive të bizneseve dhe ndryshimet eventuale në lartësinë e taksave.
Të gjitha komentet, sugjerimet dhe vërejtjet e paraqitura gjatë konsultimeve do të përfshihen në raportet përkatëse që do të hartohen nga grupet punuese.