Nënkryetarja e Komunës së Kamenicës, Arta Bajralija, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dërmaku, kanë pritur në takim përfituesit e subvencioneve në kuadër të thirrjes publike për mbështetjen e bizneseve lokale. Në këtë takim u bë edhe nënshkrimi i kontratave me bizneset përfituese, të cilat do të përfitojnë mbështetje për zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarisë së tyre.
Nga thirrja publike kanë përfituar gjithsej 48 biznese, të cilat janë përzgjedhur për mbështetje financiare në kuadër të programit të subvencionimit të bizneseve lokale. Vlera e përgjithshme e subvencioneve të ndara është 162,736.00 euro.
Përfituesit sipas veprimtarisë janë:
• 1 biznes prodhues;
• 10 biznese përpunuese;
• 4 biznese shërbyese;
• 33 biznese ndërtimore.
Nënkryetarja Arta Bajralija tha se mbështetja e bizneseve lokale mbetet një nga prioritetet e qeverisjes komunale.
“Përmes këtyre subvencioneve po krijojmë mundësi që ato të investojnë, të rrisin kapacitetet e tyre dhe të hapin vende të reja pune”, ka thënë Nënkryetarja Bajralija.
Ndërsa Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dërmaku, theksoi se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe në përputhje me kriteret e thirrjes publike.
“Është viti i katërt që komuna ndane grante për bizneset. Qëllimi i këtij subvencionimi është të mbështesim bizneset që kanë potencial për zhvillim dhe zgjerim të aktivitetit të tyre. Besojmë se kjo mbështetje do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve lokale dhe në zhvillimin ekonomik të komunës sonë”, ka thënë Drejtori Dërmaku.
Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar në krijimin e politikave dhe programeve që nxisin zhvillimin e biznesit, rritjen e punësimit dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes në komunë.