Organizata Joqeveritare Dardanapress, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës”, ka mbajtur debatin e dytë me temën “Ndikimi i investimeve të diasporës në zhvillimin socio-ekonomik”.
Qëllimi i këtij debati ishte krijimi i një hapësire të hapur dhe gjithëpërfshirëse për diskutim ndërmjet bizneseve lokale, përfaqësuesve të diasporës dhe institucioneve komunale, me fokus në rolin dhe ndikimin e investimeve të diasporës në zhvillimin socio-ekonomik të Komunës së Kamenicës.
Gjatë debatit u diskutua për rëndësinë e diasporës si një potencial i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik lokal, krijimin e vendeve të reja të punës, mbështetjen e bizneseve, si dhe përfshirjen e kapitalit, përvojës dhe njohurive të bashkatdhetarëve në zhvillimin e komunës.
Në diskutim u theksua nevoja për krijimin e kushteve më të favorshme për investitorët nga diaspora, përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve komunale, bizneseve lokale dhe diasporës, si dhe promovimin e mundësive konkrete për investime në komunë.
Ndër rekomandimet kryesore të dala nga debati u veçuan:
krijimi i një mekanizmi të qëndrueshëm të komunikimit ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe përfaqësuesve të diasporës;
promovimi më i madh i potencialeve ekonomike dhe mundësive për investime;
hartimi dhe promovimi i një liste me sektorët dhe fushat ku ekzistojnë mundësi konkrete për investime;
nxitja e investimeve të diasporës në sektorë me potencial për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik;
funksionalizimi i Qendrës për Përkrahjen dhe Mbështetjen e Bizneseve.
Në këtë debat morën pjesë përfaqësues të drejtorive komunale, bizneseve lokale, organizatave të shoqërisë civile, si dhe mediave lokale.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës” është financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.