Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj së bashku me Drejtorin për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë Edon Dërmaku kanë takuar Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit Mimoza Kusari-Lila.
Në këtë takim i pranishëm ka qenë edhe deputeti i sapozgjedhur i Kuvendit të Republikës së Kosovës Ilir Kërqeli.
“Në takim me Ministren Mimoza Kusari, së bashku me drejtorin Edon Dermaku dhe deputetin Ilir Kërqeli, kemi biseduar për mundësitë e bashkëpunimit, dhe konkretisht për mundësitë për ndërtimin e Zonës Ekonomike”-ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ai ka shtuar se zona ekonomike ka rëndësi strategjike për Komunën e Kamenicës dhe synon të krijojë kushte të përshtatshme për ekonomine lokale dhe për investitorë potencial në të ardhmen.
Kryetari Rahimaj ka njoftuar se komuna do të vazhdojë me angazhimin e saj me plotësimin e dokumentacionit, vendimeve dhe studimeve të nevojshme për themelimin e zonës ekonomike.
Ndërsa Ministrja Mimoza Kusari-Lila përgjatë këtij takimi është shprehur e hapur për bashkëpunim në këtë projekt të rendësishëm për qytetin tonë.