Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, ka vlerësuar tre vite progres në Kamenicë me NPL “Dardana” duke e konsideruar atë si një nga modelet më të mira të menaxhimit të suksesshëm publik.
‘’Jam shumë i lumtur që sot, pas tre vitesh, po shohim rezultate konkrete dhe suksesin e prekshëm të Ndërmarrjes sonë Publike Lokale “Dardana”. Ajo që nisi si një vizion, sot është shndërruar në një shtyllë kryesore të shërbimeve në komunën tone’’, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ai po ashtu ka listuar disa nga rezultatet e kësaj ndërrmarje gjatë vitit të tretë të operimit, NPL “Dardana” si:
•Rritje e të hyrave nga 33,759.28€ në vitin 2024 në 117,289.07€ në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 247%.
•Punësim lokal me 27 punonjës, duke kontribuar drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës për qytetarët e komunës.
•Qëndrueshmëri financiare ku për vitin 2025, ndërmarrja ka realizuar fitim neto prej 23,484.46€, duke dëshmuar funksionalitet dhe stabilitet financiar.
Këto rezultate janë cilësuar si arritje që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, përmes rritjes së cilësisë së shërbimeve, mirëmbajtjes së ambientit dhe fuqizimit të ekonomisë lokale, duke siguruar që mjetet financiare të riinvestohen brenda komunës.
Komuna e Kamenicës po ashtu ka paralajmëruar zgjerim të mëtejmë të aktiviteteve të ndërmarrjes, përfshirë menaxhimin e Kuzhinës Qendrore, rregullimin e parkingjeve dhe mirëmbajtjen e hyrjeve të ndërtesave kolektive.
Në shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e stafit, Kryetari i Komunës ka propozuar ndarjen e një bonusi prej 3,000 euro për punonjësit e ndërrmarjes.