Sot u përurua segmenti i rrugës Shipashnicë–Desivojcë–Tërstenë, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që mundëson qarkullim më të shpejtë, më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët e këtyre zonave.
Me një gjatësi prej rreth 10 kilometrash dhe vlerë investimi prej 3 milionë e 256 mijë eurosh, ky projekt përbën një lajm të mirë për banorët e Komunës së Kamenicës dhe një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të zonave rurale.
Në ceremoninë e përurimit Kryetari Rahimaj së bashku me stafin e tij mirëpritën Kryeministrin Albin Kurti si dhe Ministrin Dimal Basha të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij investimi për qytetarët dhe zhvillimin e mëtejmë të kësaj ane.
Kryeministri Albin Kurti, theksoi se investimet në infrastrukturë mundësojnë qasje më të mirë dhe qarkullim më të lehtë për qytetarët, ndërsa rrugët e reja janë të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik e turistik të zonave të Kamenicës.
Po ashtu, gjatë ceremonisë, Kryetari Rahimaj në një fjalë rasti shprehi mirënjohje për Qeverinë e Kosovës duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Komunën e Kamenicës dhe përkushtimin e Kryeministrit në realizimin e projekteve infrastrukturore.
“Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së banorëve të Shipashnicës, Desivojcës dhe Tërstenës, por edhe në rritjen e potencialit turistik të këtyre zonave të bukura malore.Paralelisht, po punohet edhe në projekte të tjera të rëndësishme për këtë zonë, përfshirë sigurimin e ujit të pijshëm për banorët e Desivojcës”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Pas ceremonisë së prerjes së shiritit, Kryeministri Albin Kurti, Ministri Dimal Basha dhe Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, zhvilluan bashkëbisedim me qytetarët e pranishëm.