Stafi i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Kamenicë po merr pjesë në seminarin profesional treditor, i cili po zhvillohet në Durrës, me fokus në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e arsimit.
Seminari organizohet nga Instituti për Promovimin e Edukimit – IPEDU, me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASH) dhe me financim nga Ambasada e Republikës së Sllovenisë në Kosovë.
Pjesë e rëndësishme e kësaj veprimtarie është edhe përfshirja aktive e drejtorëve të shkollave të Komunës së Kamenicës. Në seminar po marrin pjesë drejtues të institucioneve arsimore që zhvillojnë mësimin në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe, duke e bërë këtë aktivitet një mundësi të rëndësishme për bashkëpunim, dialog dhe shkëmbim të praktikave të mira ndërmjet institucioneve arsimore.
Në seminar po marrin pjesë:
* Agon Mahmuti, drejtor i Gjimnazit “Ismail Qemali”;
* Milaim Lenjani, drejtor i ShMLM “Sejdi Kryeziu”;
* Mirosllav Pavić, drejtor i ShFMU “Desanka Maksimović”;
* Dalibor Jovanović, drejtor i Shkollës Teknike në Kamenicë.
Pjesëmarrja e përbashkët e stafit të DKA-së dhe drejtuesve të shkollave dëshmon përkushtimin e Komunës së Kamenicës për zhvillim të vazhdueshëm profesional, bashkëpunim institucional dhe shkëmbim të përvojave e praktikave të mira, me synim përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit dhe punonjësit arsimorë.
Arsimi cilësor ndërtohet përmes bashkëpunimit, përfshirjes dhe investimit të vazhdueshëm në njerëz.