Për herë të parë Kamenica po bëhet pjesë e një programi të dedikuar zhvillimit të filmit dhe bashkëpunimit profesional në industrinë e kinematografisë.
Komuna e Kamenicës si partnere e projektit po mbështet “LAND FILM LAB – Film Residency & Industry Networking”, një iniciativë që nga 7 deri më 11 shtator sjell në Kamenicë kineastë, mentorë dhe profesionistë të industrisë së filmit.
Gjatë këtyre pesë ditëve, Rogana, Kamenica dhe Krenidelli do të shndërrohen në hapësira të krijimtarisë, diskutimit dhe shkëmbimit të ideve.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të zhvillojnë projektet e tyre përmes mentorimit profesional, prezantimeve, takimeve me profesionistë të fushës dhe aktiviteteve të rrjetëzimit. Programi do të përfshijë edhe projektime filmash në ambiente të hapura, duke e afruar filmin edhe me qytetarët.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka thënë se kjo iniciativë është një mundësi e mirë për ta promovuar Kamenicën përmes artit dhe kulturës.
“Për herë të parë Kamenica bëhet rezidencë e filmit. Është kënaqësi që hapësirat tona të mirëpresin kineastë dhe profesionistë të filmit, duke krijuar mundësi të reja për kulturën dhe promovimin e Kamenicës. Kjo është vetëm njëra nga shumë nisma që do ta sjellin Kamenicën edhe më afër artit dhe krijimtarisë”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Aktivitetet e LAND FILM LAB do të zhvillohen gjatë gjithë javës në lokacione të ndryshme të Kamenicës.
Programi nis sonte në Roganë.