Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit, në të cilën morën pjesë Kryetari i Komunës dhe njëherësh udhëheqësi i KKSB-së, Kadri Rahimaj, koordinatori i KKSB-së, Fisnik Kastrati, komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë, Basri Shkodra, si dhe anëtarët e këtij këshilli.
Kryetari Rahimaj hapi mbledhjen duke paraqitur rendin e ditës, i cili përfshinte:
Shqyrtimin e gjendjes së sigurisë në Komunën e Kamenicës, me theks të veçantë në realizimin e patrullimeve të rregullta policore;
Informatën lidhur me planin e punës së KKSB-së;
Të ndryshme.
Ai theksoi se plani i punës është konsultuar edhe me asambleistët në mbledhjen e Kuvendit Komunal dhe shtoi se, nëse anëtarët e KKSB-së e vlerësojnë të nevojshme, objektivat e planit mund të ndryshohen.
Për pikën e parë të rendit të ditës foli komandanti i Policisë, Basri Shkodra, i cili prezantoi gjendjen e sigurisë në Komunën e Kamenicës. Sipas tij, bazuar në të dhënat dhe analizat e realizuara nga stacioni policor, gjendja e përgjithshme e sigurisë në territorin e Kamenicës vlerësohet stabile dhe nën kontroll, pavarësisht një rritjeje të lehtë të rasteve të raportuara krahasuar me vitin paraprak.
“Gjatë periudhës janar-prill të vitit 2025 janë evidentuar gjithsej 60 raste, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2026 janë evidentuar 68 raste”, ka bërë të ditur ai.
Shkodra shtoi se në vitin 2025 janë regjistruar 43 vepra penale, ndërsa në vitin 2026 numri i tyre ka arritur në 56, duke theksuar se zbulueshmëria e rasteve është rritur në rreth 85%, krahasuar me 73% sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Gjatë kësaj periudhe nuk është shënuar asnjë rast i vrasjes apo grabitjes”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për gjendjen e sigurisë në trafik dhe në shkolla.
“Për periudhën janar-prill 2026 janë regjistruar gjithsej 30 aksidente trafiku, prej tyre 20 me lëndime dhe 10 vetëm me dëme materiale, ndërsa aksidente me fatalitet nuk kemi pasur. Policia është duke ndërmarrë masa operative dhe parandaluese përmes patrullimeve në këmbë dhe me automjete, pikave të kontrollit dhe shqiptimit të gjobave”, ka deklaruar Shkodra.
Sa i përket sigurisë në shkolla, ai tha se gjendja vlerësohet e qetë dhe pa incidente serioze, falë prezencës së vazhdueshme policore, takimeve dhe ligjëratave vetëdijësuese, realizimit të projekteve parandaluese, si dhe angazhimit të zyrtarëve policorë edhe në rroba civile.
Ai theksoi se prioritetet e Stacionit Policor në Kamenicë mbeten parandalimi dhe zbulimi i narkotikëve, ulja e aksidenteve në trafik, rritja e zbulueshmërisë së veprave penale kundër pasurisë dhe forcimi i bashkëpunimit me komunitetin.
Ndërkohë, koordinatori i KKSB-së, Fisnik Kastrati, prezantoi objektivat e planit të punës.
“Ky plan është ndarë në objektiva dhe aktivitete konkrete, ku përfshihen siguria në Komunën e Kamenicës, siguria në të gjitha shkollat e komunës, parandalimi i zjarreve në objektet administrative dhe shkollore, reduktimi i dukurive negative, si dhe siguria në komunikacion dhe rrugët e komunës”, ka thënë ai.
Sipas Kastratit, institucionet përgjegjëse për raportim do të jenë Policia e Kosovës, Drejtoria Komunale e Arsimit, sektori i emergjencave, mediat lokale, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Ambientit dhe Inspektorati.
“Ky plan është ndërtuar në mënyrë që të rrisë sigurinë dhe masat preventive në Komunën e Kamenicës”, ka shtuar ai.
Pas shqyrtimit të pikave të rendit të ditës mbledhja është mbyllur.