Nënkryetarja e Komunës së Kamenicës Arta Bajralija së bashku me Drejtorin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Kamenicë Besart Kryeziu, kanë pritur sot në takim përfaqësuesit nga SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës.
Ky takim është mbajtur në kuadër të një nismë ndërgjegjësuese dhe bashkëpunuese, me fokus mbështetjen e të rinjve që rriten pa përkujdesje prindërore dhe sfidat që ata përballin pas moshës 18 vjeç.
Kjo është një moshë kur shumë të rinj detyrohen të fillojnë jetën në mënyrë të pavarur, shpesh pa mbështetjen e nevojshme për strehim, punësim, arsimim dhe orientim në jetë.
Për këtë arsye, përmes shënimit të kësaj jave, është synuar të fillojë jë angazhim konkret institucional, që u jep këtyre të rinjve një mundësi reale për një fillim të dinjitetshëm.
Në këtë kuadër, Nënkryetarja Bajralija ka nënshkruar me të rinjtë një deklaratë simbolike bashkëpunimi “18 vjet + 1 mundësi”, përmes së cilës Komuna shpreh gatishmërinë për të mbështetur të rinjtë pa përkujdes prindëror nga komuna jonë, në tranzicion drejt pavarësisë, në fusha kyçe si strehimi, punësimi, arsimimi dhe mentorimi.