Drejtoresha e Drejtorisë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Burbuqe Leka, ka njoftuar për përmbylljen me sukses të ciklit të sesioneve informuese me banorët e zonave ku pritet të fillojë procesi i rindërtimit të Kadastrit.
Takimi i fundit informues u mbajt në fshatin Petrit, ku u diskutua nga afër rëndësia e këtij projekti si dhe përfitimet që ai sjell për qytetarët. Gjatë këtij procesi, theks i veçantë iu dha qartësimit të pronësisë dhe rritjes së sigurisë juridike për pronat.
Drejtoresha Leka ftoi të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi, duke u angazhuar aktivisht dhe duke bashkëpunuar gjatë gjithë fazave të realizimit të projektit.
Sipas saj, projekti i rindërtimit të Kadastrit është në shërbim të qytetarëve dhe synon të sjellë më shumë rregull, transparencë dhe zhvillim për zonën.