Shkolla “Fan S.Noli” në Kamenicë nuk përmbush nevojat për zhvillimin normal të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Këtë e ka konfirmuar Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike në Kosovë, në përgjigjen e dhënë në kërkesat e Komunës së Kamenicës.
Sipas analizave të kryera nga ky Institut, del se shkolla në fjalë nuk i plotëson kushtet për vijimin e mësimit. Në bazë të konkluzionit të IKSHP-së, ambientet e kësaj shkolle paraqesin rrezik për shëndetin e fëmijëve dhe stafit.
Në dokumentet e bashkangjitura në përgjigjen e kërkuar nga komuna, Instituti rekomandon që procesi edukativ në këtë shkollë të mos vazhdoj deri në përmirësimin e kushteve që ndikojnë në shëndetin e fëmijëve.
Komuna e Kamenicës do të vazhdojë të kërkojë mbështetjen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që ky problem të zgjidhet në afat kohor sa më të shpejtë. Gjithashtu, përfaqësuesit e komunës kanë mbajtur një takim me Këshillin e Prindërve, Nxënësve e Mësimdhënësve, për t’u konsultuar rreth gjetjes së një zgjidhjeje sa më të mirë për nxënësit.




